Kemi kënaqësinë të njoftojmë se Bordi Drejtues i FKEE aprovoi Projektin për aplikimin e masave emergjente të Efiçiencë së energjisë në sektorin rezidencial – shtëpitë individuale të banimit. Ky projekt ka për qëllim mbështetjen e konsumatorëve familjar përmes rritjes së efiçiencës së energjisë në shtëpitë individuale, dhe financohet nga mjetet e Bashkimit Evropian të Pakos Emergjente, siguruar përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës me Marrëveshjen Financiare IPA III.
Si një Program i ri, në pajtim me Nenin 35 (1) të Ligjit Nr.06/079 për Efiçiencë të Energjisë, në vijim të Aprovimit nga Bordi, janë siguruar edhe pëlqimet e nevojshme nga ministritë përgjegjëse (Ministria e Ekonomisë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve).
Projekti përfshin subvencionimin e kostos së zbatimit të masave të përzgjedhura të efiçiencës së energjisë në shtëpi private (individuale) të banimit, si: izolimi i jashtëm i shtëpisë, ndërrimi i dritareve, derës së hyrjes dhe izolimi i kulimit, sipas standardeve minimale dhe kritereve të përcaktuara nga FKEE.
Lista e masave që subvencionohet për secilin aplikues do t`i nënshtrohet një konfirmimit nga specialistët përkatës (auditorë të energjisë). Subvencionimi përkatësisht rimbursimi i kostos së zbatimit të masave është i kufizuar në masën deri në 45%, apo shumën maksimale deri në 5,500 euro si kufi i sipërm (maksimal) i mundshëm për një shtëpi – përfitues individual, e destinuar vetëm për banim privat/familjar. Megjithatë, secili aplikim individualisht, kur te hapet procesi, do të trajtohet nga komisioni përkatës, duke përcaktuar edhe njoftuar për shumën maksimale të subvencionit për secilin rast veç e veç, përmes një njoftimi zyrtar të lëshuar si para-aprovim nga FKEE. Prandaj, këto të dhëna janë të përgjithësuara për nivel të projektit. Detajet tjera do të përcaktohen dhe publikohen me kohë.
Buxheti për këtë masë do të jetë 10 milionë euro dhe pritet të përfitojnë në faza të ndryshme mbi 1,600 familje brenda afatit të realizimit të projektit.
Ky njoftim ka për qëllim që të njoftojë të gjithë qytetarët për këtë mundësi që ta marrin parasysh në planet e tyre. Kjo do të jetë hera e parë që një institucion i Republikës së Kosovës zbaton një masë të tillë në Kosovë, e cila njëkohësisht shënon fillimin e zbatimit të masave në sektorin rezidencial, pas fillimit të zbatimit të projektit për objektet shumë banesorë komunale të banimit social.
Për hapjen e thirrjeve për aplikim për përfitim nga të gjithë qytetarët e Kosovës do të njoftoheni përmes një njoftimi të veçantë së shpejti, duke përfshirë edhe të gjitha informatat tjera relevante për aplikim, si dhe udhëzimet detaje.
Bordi Drejtues i FKEE falënderon Bashkimin Evropian për sigurimin e fondeve dhe mbështetjen si dhe Qeverinë e Kosovës për besimin e dhënë dhe mbështetjen për realizimin e këtyre masave.