Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, ka nënshkruar marrëveshjet e para me komunat përfituese, për projektin “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Ndërtesat Shumë-Banesore Sociale”.

Prishtina, Skenderaj, Vitia, Gjilani, Drenasi dhe Malisheva, janë 6 nga 13 komunat, në të cilat 28 objekte do të shndërrohen në banesa komode për 785 familje, falë donacionit të Bashkimit Evropian, përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës. Pjesa prej 90% do të paguhet nga ky fond, përderisa 10% do të kontribuojnë komunat respektive. 

Me një buxhet prej 5.5 milionë euro për 22 objektet e para, në komunat që nënshkruan marrëveshjet, do të investohet në termoizolimin  e mbështjellësit të ndërtesës dhe kulmit, zëvendësimin e dritareve dhe dyerve kryesore, instalimin e sistemit të ngrohjes me kondicionerë ajri për secilën njësi familjare, renovimin e hyrjeve dhe instalimin e sistemit të interfonisë, masat për mbrojtje kundër zjarrit dhe detektorët e tymit.

Kamenica, Klina, Obiliqi dhe Istogu do të nënshkruajnë marrëveshjet përfundimtare, gjatë javës së ardhshme ndërsa ende nuk kanë përfunduar procedurat tenderuese për komunën e Mitrovicës, Lipjanit dhe Prizrenit.

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ju njofton për mundësinë e angazhimit tuaj si Auditorë të Certifikuar të Energjisë me qëllim të zbatimit të Projektit Emergjent “Zbatimi i Masave te Efiçiencës së Energjisë ne Sektorin Privat – Shtëpitë individuale”.

Ky projekt që synon rritjen e kursimit të energjisë dhe rritjen e mirëqenies në shtëpitë individuale, mbështetet nga Bashkimi Evropian, programi IPA – Pako e Mbështetjes për Energji, e siguruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Projekti zbatohet nga FKEE dhe do të bashkë financohet nga vetë përfituesit/pronarët e shtëpive individuale të përzgjedhura në një proces aplikimi që do të hapet së shpejti.

FKEE i fton të gjithë auditorët e certifikuar të energjisë që të shprehin interesimin e tyre për t’u bërë pjesë e projektit duke ofruar shërbime profesionale për qytetarët të cilët do të aplikojnë për mbështetje financiare (grant) që të investojnë në masat e efiçiencës së energjisë.

Roli i Auditorit të Certifikuar të Energjisë brenda këtij projekti do të jetë kryerja e një auditimi (Walk-through Energy Audit) të shtëpive për secilin aplikues, me qëllim të analizës së gjendjes aktuale të shtëpisë, verifikimit dhe konfirmimit të masave të nevojshme për t’u implementuar sipas kërkesave teknike të vendosura nga FKEE. Ky proces zhvillohet për shtëpitë të cilat janë subjekt i aplikimit për përfitimin e grantit në zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë në ndërtesat në pronësi individuale. Angazhimi i auditorit do të realizohet nga vet aplikuesi, përkatësisht nga pronari i shtëpisë i cili do të aplikojë për grant nga FKEE. Auditori përgatit një raport sipas formatit të përcaktuar nga FKEE (formati i bashkangjitur në web faqen e FKEE-së), i cili raport është kusht kryesor për dërgimin dhe vlerësimin e aplikacionit. Përveç konstatimit se shtëpia i plotëson kushtet për përfitim, raporti duhet të përmbajë masat e rekomanduara dhe dakorduara me aplikuesin, para-masën dhe para-llogarinë për shtëpinë për të cilën aplikohet.

Pas shprehjes së interesimit tuaj për angazhim si auditor në projektin e FKEE, do të përditësohet lista e auditorëve të energjisë e cila do të publikohet ne web faqen e FKEE-së (www.fkee-ks.net). Kjo listë do të shërbejë për qytetarët që do të ju kontaktojnë për shërbimet në profesionale të auditimit të energjisë në shtëpitë e tyre individuale. Theksojmë se raporti që përpilohet nga ana e auditorit në formatin e caktuar, shërben si kusht që të vazhdohet me aplikimet për grant në projektin e FKEE-së.

Për shërbimin e ofruar për aplikuesin nga ana e auditorit të certifikuar të energjisë, FKEE do të përcaktoj një tarifë fikse, e cila do të rimbursohet tek aplikuesi në fund të projektit me rastin e disbursimit të grantit. Pavarësisht nga kostoja që aplikuesi ka paguar tek auditori me rastin e angazhimit nga ana e tij në mënyrë të pavarur, tarifa që do të kompensohet nga FKEE-ja është fikse dhe e njëjtë për të gjithë aplikuesit.

Sipas kërkesës nga ana e përfituesit potencial, Auditori i Energjisë mund të mbështes atë në fazën e para- aplikimit për grant/subvencion, gjatë aplikimit dhe/ose zbatimit të projektit. Relacioni mes përfituesit dhe auditorit është vullnet i pavarur, jashtë ndikimit dhe përgjegjësive të FKEE-së.

Auditorët që shprehin interesimin për të qenë pjesë e listës së auditorëve të energjisë në projektin e zbatuar nga FKEE, do të ftohen për prezantim të detajuar në nivelin teknik.

Konfirmimin për shprehjen e interesit ju lutemi ta bëni përmes LINKUT deri më datën 09.08.2024. Për informata shtesë na kontaktoni në info@fkee-rks.net ose telefon 038/ 223 – 777.

VËMENDJE!

FKEE i bën thirrje të gjithe autitorëve të regjistruar, që të kenë kujdes në përpilimin e raporteve, llogaritjen e sasive të materialeve, duke mos shkelur etikën profesionale gjatë vlerësimeve të shtëpive dhe masat të përcaktuara nga FKEE. Çdo raport me të dhëna të pasakta apo aprovim i rasteve, të cilat nuk plotësojnë kriteret e përcaktuara, do të konsiderohet tendencë për mashtrim. Në raste të tilla FKEE do të largojë përhershëm nga lista e saj auditorët e papërgjegjshëm dhe do t’i raportojë në Ministrinë e Ekonomisë.

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) njofton të gjithë përfituesit e thirrjes “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit”, që kane kryer punimet dhe nuk kanë aplikuar ende, se duhet dorëzojnë dokumentet për disbursim deri me datën 31.07.2024.


Dokumentet për disbursim janë si më poshtë dhe duhet të dorëzohen vetëm në emailin disbursimi@fkee-rks.net.


(1) Formulari i nënshkruar për rimbursim (https://fkee-rks.net/thirrjet-publike/);

(2) Kopja e Letrës së para-aprovimit e nënshkruar;

(3) Kopja e letërnjoftimit (nr. personal);

(4) Konfirmim nga banka i llogarisë bankare ose kopja e kartelës bankare (faqja e parë);

(5) Faturat për punimet e kryera (faturat në emër të përfituesit);

(6) Kopja e pagesave të kryera përmes bankës (transaksionet bankare) për të gjitha faturat;

(7) Plotësimi i shtojcave të marrëveshjes e nënshkruar nga punëkryersi dhe përfituesi;

(8) Marrëveshja me punëkryesin për të gjitha punimet, kur kompania i ka blerë edhe materialet, edhe i ka kryer punimet (nëse ka).

Lidhur me datën e përfundimit të aplikimit, qytetarët janë njoftuar përmes emailit, me 30.05.2024 dhe 05.07.2024.

Për arsye të respektimit të afateve të vendosura në vendimin e Bordit të FKEE-së, të datës 07.02.2024 me nr. protokolli 247/2024, çdo aplikim pas 31.07.2024 nuk do të shqyrtohet nga FKEE.

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, të premten ka hapur zyrën rajonale në Mitrovicën e Veriut.

Zyra rajonale fillon operacionet formale me një mision për të siguruar që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të përfitojnë nga investimet në masat e efiçiencës së energjisë. Ajo do të shërbejë si ‘one-stop shop’ duke ofruar mbështetje teknike, këshillime dhe udhëzime lidhur me çështje të ndërlidhura me efiçiencën e energjisë në sektorin publik, sektorin e banimit dhe sektorin e biznesit.

Kjo është një nismë e misionit të FKEE-së për prezencë në të gjitha rajonet e Kosovës, duke u lehtësuar qytetarëve qasje në projektet që realizon institucioni.

FKEE njofton institucionet përgjegjëse, se krijimi i bazës së të dhënave sipas dakordimit në takimin e mbajtur me 23 maj 2024 është dashur të përfundojë gjatë muajit qershor 2024, pra deri më datën 28. Deri në këtë moment, janë disa institucione (qendrore dhe lokale), të cilat ose nuk kanë raportuar fare ose nuk kanë raportuar sipas specifikave të nevojshme.

Në lidhje me mbarëvajtjen e këtij procesi, FKEE njofton dhe rithekson çështjet si në vijim:

  1. Afati për dorëzimin e listave sipas kërkesave të specifikuara në formularin e raportimit të dërguar përmes emailit, shtyhet deri të premten, me datë 12 korrik 2024.
  2. Raportimi i pasaktë dhe jo i plotë apo duke mos respektuar kërkesat sipas formularit, nënkupton se institucioni respektiv apo objekti konkret për të cilin mungojnë informatat, nuk do të kualifikohet për procedim të mëtutjeshëm dhe do të lihet jashtë listës për përfitim eventual të investimit nga FKEE.
  3. Mos-raportimi deri më datë 12 Korrik 2024 nënkupton që institucioni apo komuna respektive nuk dëshiron të marrë pjesë në projektin për investime në objekte publike, dhe për rrjedhojë do të largohet nga lista e përfituesve të mundshëm për këtë projekt.

Për këtë, FKEE bën thirrje tek Komunat dhe Institucionet e tjera publike në nivel lokal dhe/ose qendror, që të përfundojnë procesin e raportimit të saktë dhe në kohë.

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) njofton të gjithë përfituesit e thirrjes “ZBATIMI I MASAVE TË EFIÇIENCËS SË ENERGJISË PËR SHTËPITË INDIVIDUALE TË BANIMIT”, që kane kryer punimet dhe nuk kanë aplikuar ende se duhet dorëzojnë dokumentat për disbursim deri më datën 31.07.2024.
Dokumentet për disbursim janë si më poshtë dhe duhet të dorëzohen vetëm në emailin disbursimi@fkee-rks.net.

  1. Formulari i nënshkruar për rimbursim (https://fkee-rks.net/thirrjet-publike/);
  2. Kopja e Letër aprovimit e nënshkruar;
  3. Kopja e letërnjoftimit (nr. personal);
  4. Konfirmim nga banka i llogarisë bankare ose kopja e kartelës bankare (faqja e parë);
  5. Faturat per punimet e kryera (faturat në emër të përfituesit);
  6. Kopja e pagesave të kryera përmes bankës (transaksionet bankare) për të gjitha faturat;
  7. Plotësimi i shtojcave të marrëveshjes e nënshkruar nga punëkryersi dhe përfituesi;
  8. Marrëveshja me punëkryesin për të gjitha punimet, kur kompania i ka blerë edhe materialet, edhe i ka kryer punimet (nëse ka).
    E rëndësishme: Për arsye të respektimit të afateve të vendosura në vendimin e Bordit, të datës 07.02.2024 me nr. protokolli 247/2024, çdo aplikim pas 31.07.2024 nuk do të shqyrtohet nga FKEE.

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë i themeluar në vitin 2019, shumë shpejt u bë kryefjalë e efiçiencës së energjisë. Në vetëm 2 vitet e fundit, FKEE implementoi masat e efiçiencës së energjisë në 83 objekte publike komunale, ndërsa për herë të parë, shpalli thirrjen publike për të subvencionuar me 45% të shumës së investimit për shtëpitë individuale.

Gjithë puna dinamike që zhvillohet për realizimin e projekteve të FKEE-së, pas vetes ka ekipin tejet profesional. Një staf i përbërë nga ekspertë të fushave përkatëse, inxhinierë të profileve të ndryshme, arkitektë, ekonomistë, juristë dhe profesionistë të tjerë.

Në Ditën e Gruas, FKEE është jashtëzakonisht krenare që është institucioni me projekte të suksesshme, falë punës së madhe të grave, punonjëse të institucionit. Nga numri total i punonjësve që është 23, 61% janë gra.

Njomza, Drita, Fitorja, Gearda janë inxhinieret dhe arkitektet, emrat e të cilave janë vulat e projekteve publike dhe subvencionimit të shtëpive individuale. Dhe padyshim janë më shumë se gjysma e departamentit të operacioneve me 57%.

Arita, Ardiana, Delvina, Nora, Arbnora e Remzija, janë gratë që i qëndrojnë prapa secilit proces tjetër, financiar, ligjor e administrativ dhe përmbushin 64% të profesionistëve të tjerë.

Ardiana, Ardita e Anila janë 60%-shi i menaxhmetit të Fondit, të cilat përkujdesen që çdo proces të  koordinohet dhe të ketë mbarëvajtje në zhvillim, me përpikëri dhe në harmoni me ligjin.

Si një nga fushat më të rëndësishme të kohës, efiçienca e energjisë, është duke u zhvilluar në rrugën e duhur me ndikimin madhor të grave, përkushtimin e pashoq të tyre në arritjen e qëllimeve të institucionit.

Fuqia vendimmarrëse e profesionisteve të Fondit, është shembulli më i mirë i përmbushjes së synimit mbarë shoqëror që grave t’u mundësohet barazia që ju takon.

Gëzuar 8 Marsi! Ëndërroni, guxoni, veproni!

Shkruan: Fillojetë Konjuhi, Specialiste për marrëdhënie me publikun

Në vazhdimësi të aktiviteteve dhe partneriteteve të FKEE-së, sot u nënshkrua marrëveshje për mbështetje financiare me GIZ Kosovo.

Kjo mbështetje do të ndihmojë Fondin në zhvillimin e mëtutjeshëm drejt implementimit të masave të efiçiencës së energjisë në sektorë të ndryshëm, duke ndihmuar gjithashtu krijimin e një programi të qëndrueshëm të financimit në të ardhmen.

Drejtori menaxhues i FKEE-së, Driton Hetemi, në takim me Drejtorin e GIZ në Kosovë, David Oberhuber, shprehu mirënjohjen për përkrahjen e vazhdueshme nga GIZ Kosova që ndikon pozitivisht në rritjen e veprimtarisë së Fondit.

Ne emër të Qeverisë Gjermane, GIZ Kosova ka qëndruar afër FKEE-së që nga themelimi, duke ofruar në vazhdimësi mbështetje profesionale për ngritjen e kapaciteteve të institucionit për realizimin e objektivave që ka.

FKEE synon të jetë një institucion i besueshëm dhe i fuqishëm me një portofol të gjerë financimi të projekteve të efiçiencës së energjisë dhe integrimit të burimeve të ripërtëritshme në ndërtesat e sektorit publik, në sektorin rezidencial, dhe më vonë në sektorët e biznesit, transportit e bujqësisë.

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë njofton opinionin publik për përfundimin e punëve në projektin e fundit për vitin 2023.

Është Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Asdreni” në Pejë, që përmbyllë listën prej 42 projekteve në objektet publike komunale, tek të cilat janë implementuar masat e efiçiencës së energjisë si termoizolim i mureve të jashtme, ndërrim i dritareve dhe dyerve të jashtme, sisteme efiçiente të ngrohjes, trupa ndriçues efiçient. Lista e projekteve të implementuara përfshinë objekte shkollore, qendra të mjekësisë familjare, objekte të kuvendeve komunale, qendra të kulturës dhe salla sportive.

Në total, në dy vitet e fundit, FKEE ka përfunduar me sukses 83 projekte publike në 22 komuna, me një kosto rreth 12 milionë euro të financuar nga Bashkimi Evropian, Banka Botërore dhe Qeveria e Republikës së Kosovës.

Me respekt,

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ka kënaqësinë të njoftojë opinionin publik për përmbylljen e procesit të vlerësimit të aplikimeve të pranuara në thirrjen publike “Zbatimi i Masave të Efiçiencës të Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit”.

Nga data 8 deri më 20 gusht 2023, përmes platformës e-Kosova, FKEE ka pranuar 3321 aplikime, dhe pas shqyrtimit nga komisioni vlerësues, 2150 aplikantë kanë marrë para-aprovimin për fillimin e implementimit të masave të efiçiencës së energjisë. Këta aplikantë kanë pranuar “Letrën e Para-Aprovimit” dhe vërtetimin për lirim nga TVSH për blerjen e materialeve dhe kryerjen e punimeve në shtëpitë e tyre. Komunat me numrin më të lartë të përfituesve janë: Prishtina, Podujeva, Peja, Ferizaj dhe Vushtrria.

Nga numri total i aplikimeve, janë anuluar 161 aplikime, prej të cilave 142 për arsye se nuk i kanë plotësuar kriteret e thirrjes publike dhe 19 aplikantë kanë tërhequr aplikimin e tyre. Ndërkaq, 1010 aplikime pa raport të auditorit do të shqyrtohen në rast se mbetet buxhet në dispozicion, pas përfundimit të tërë procesit me aplikimet me raport të auditorit. Aplikantët janë njoftuar në emailin automatik të pranuar nga e-Kosova.

Aktualisht, FKEE ka pranuar rreth 700 aplikime për disbursim të shumës së subvencionuar, nga qytetarët që kanë përfunduar punimet. Këto aplikime janë në proces të verifikimit nga 8 kompani të angazhuara nga FKEE, dhe marrëveshjet e para të disbursimit janë nënshkruar nga përfituesit e parë që kanë dorëzuar dokumentacionin e plotë dhe kanë kaluar verifikimin.

Fondi si donacion prej 10 milionë eurove, i destinuar për këtë projekt, është mundësuar nga Bashkimi Evropian si pjesë e pakos mbështetëse të energjisë, përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës. Përfituesit do të subvencionohen me deri në 45% të shumës së investimit dhe deri në 50% për pronaret gra ose për shtëpitë në bashkëpronësi të bashkëshortëve, pa kaluar shuma maksimale prej 5500 euro, për implementimin e masave të efiçiencës së energjisë, duke përfshirë termoizolimin e mureve të jashtme, termoizolimin e kulmit dhe ndërrimin e dritareve dhe dyerve të jashtme.

Përfituesit janë zgjedhur duke u bazuar në kriteret e përcaktuara nga thirrja publike, duke përfshirë nevojën për shtëpi të banueshme, konsum të energjisë elektrike prej së paku 250kWh për muaj në 21 nga 24 muajt e fundit, si dhe përmbushjen e kritereve teknike dhe izolimit termik.

FKEE është e përkushtuar në vazhdimësi që të mundësojë realizimin e projekteve të tilla, duke kontribuar në mirëqenien e qytetarëve, kursimin e energjisë dhe ruajtjen e ambientit.