Të martën kanë përfunduar punimet në zbatimin e masave të efiçiencës në SHFMU “Rilindja” në Çifllak të Rahovecit.
Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Bankës Botërore dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë në këtë shkollë është bërë termoizolimi i mbështjellësit të jashtëm, ndërrimi i dritareve dhe dyerve të jashtme, instalimi i kaldasë me pelet dhe përmirësimi i rrjetit ekzistues të ngrohjes, vendosja e ndriçimit efiçient-LED.
Drejtori menaxhues i FKEE, Driton Hetemi, tha se janë të përkushtuar që të kontribuojnë për një të ardhme të qëndrueshme përmes implementimit të masave të efiçiencës së energjisë.
Janë edhe tetë objekte të tjera shkollore në komunën e Rahovecit, në të cilat po zbatohen masat e efiçiencës së energjisë, të cilat janë investim mbi 1 milion e 140 mijë euro.

Driton Hetemi është drejtori i ri menaxhues i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

Hetemi ka përvojë të dëshmuar në menaxhim dhe zbatim të projekteve, duke mbajtur pozita menaxhuese për mbi një dekadë. Për 16 vjet me radhë, ka ndërtuar ekspertizë në banka dhe financa, zhvillimin e produkteve, menaxhimin e projekteve, përpunimin e të dhënave, menaxhimin e risqeve, zhvillimin e biznesit dhe relacioneve me publikun.

Studimet universitare, Hetemi i ka përfunduar në Universitetin e Evropës Juglindore në Maqedoninë e Veriut, në drejtimin Administrim Biznesi, ndërsa ka marrë titullin MBA në Menaxhment të Përgjithshëm në Universitetin e Sheffield-it, nga City College në Greqi. Krahas studimeve, Hetemi ka edhe një mori trajnimesh nga institucione kredibile vendase dhe ndërkombëtare, me fokus në menaxhim të burimeve njerëzore, menaxhim të mjedisit dhe financa.  

Aktualisht është edhe anëtar i Bordit të Transmetuesit Publik të Republikës së Kosovës (RTK).

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se është mbyllur aplikimi për thirrjen publike “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit”.

Mbyllja e parakohshme është rezultat i pranimit të mbi 2000 aplikimeve, të cilat përmbushin buxhetin e destinuar për subvencionim të masave, izolim të mureve, kulmit dhe ndërrim të dyerve e dritareve të jashtme, deri në 45% të shumës (5% bonus për shtëpitë që janë pronë e gruas ose bashkëpronësi e çiftit) duke mos kaluar kufirin maksimal 5500 euro.

Ju rikujtojmë se aplikacionet kanë filluar të shqyrtohen sipas radhës të arritjes së tyre dhe tashmë janë dorëzuar edhe letrat e para të para-aprovimit. Të gjithë ata që pranojnë këtë dokument, duhet të ndjekin edhe më tutje rregullat e parapara në thirrjen publike (Thirrja Publike) deri në përfundim të procesit kur edhe marrin paratë. 

Ky projekt mbështetet nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit IPA – Pako për Mbështetjen e Energjisë, i aranzhuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe i zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, të hënën (07.08.2023) ka shënuar fillimin e implementimit të projektit “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit”. Përmes një buxheti prej 10 milionë euro, qytetarët do të subvencionohen deri 45% për implementimin e masave efiçiente si: termoizolim të mureve të jashtme dhe të kulmit, ndërrim të dyerve dhe dritareve.

Anëtarja e Bordit të FKEE, Nora Arifi, njoftoi të pranishmit se një bonus shtesë prej 5%, duke e rritur kështu subvencionin në 50%, do të jepet nëse prona është në bashkëpronësi të bashkëshortëve ose nëse gruaja është pronare e shtëpisë. Arifi falënderoi Bashkimin Evropian për financimin e projektit përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës si dhe Ministrinë e Ekonomisë për mbështetjen e vazhdueshme.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se është e lumtur që po fillon një projekt i cili do të ndikojë në zvogëlimin e faturave të energjisë për qytetarët.

Përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Alessandro Bianciardi, tha se mbeten të përkushtuar për të mbështetur Kosovën në rrugën drejt energjisë së mirë dhe të pastër.

Kushtet e aplikimit  janë që shtëpia të jetë e banueshme, në 21 nga 24 muajt e fundit, me konsum të energjisë elektrike minimum 250 kWh /muajsi dhe nëse shtëpia nuk ka izolim termik apo është pjesërisht e izoluar.

Shuma e kufizuar e subvencionimit është 5,500 euro.

Aplikimi bëhet përmes platformës e-Kosova, nga data 8 gusht 2023.