Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjise (FKEE) njofton se nesër, 14 qershor 2024, fillon shqyrtimi i listës së pritjes për aplikantët që kanë shprehur interesimin vitin e kaluar për të përfituar nga subvencionimi i investimeve për implementim të masave të energjisë efiçiente në shtëpitë individuale.

Thirrja fillestare për përfitim nga subvencionimi i mundësuar nga Bashkimi Evopian dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, ka qenë aktive nga data 8 gusht 2023 deri më 25 shtator 2023 dhe në bazë të kushteve të thirrjes, konkretisht të pikës 2.1 “Aplikimi pa Raport të Auditimit të Energjisë”, është thënë se:

 “Në rast se aplikanti, për çfarëdo arsye, nuk ka gjetur një auditor të çertifikuar të energjisë për të bërë auditimin e thjeshtëzuar të energjisë (walk-through audit), ai aplikacion do të vendoset në listë të pritjes, ndërsa shqyrtimi i tij i mëvonshëm do të merret parasysh nëse plotësohen dy kushtet e mëposhtme:

• Buxheti i destinuar për thirrjen ende nuk është shpenzuar; dhe

• Kontraktimi i Auditorëve të Energjisë bëhet nga ana e FKEE-së. “

Në lidhje me këtë, në mënyrë që të përmbushet ky kusht i thirrjes, FKEE fton të gjithë aplikantët në listën e pritjes, e që janë rreth 1000 sosh, të njoftojnë FKEE-në nëse ende janë të interesuar për të përfituar nga subvencionimi i implementimit të Masave të Efiçiencës së Energjisë (MEE).

Për të gjithë të interesuarit, rikujojmë se kriteret që kërkohen për t’u kualifikuar për subvencionimin, janë:

  • Shtëpia të jetë e banueshme në 21 nga 24 muajt e fundit (si kriter bazë), e që ka një konsum energjie të energjisë elektrike prej të paktën 250 kËh (kilovat/orë) në muaj;
  • Gjithashtu, duhet të plotësohet së paku njëri nga kriteret si në vijim:

a) shtëpia nuk ka termoizolim ose është nën kërkesat minimale teknike (trashësia e izolimit të murit të jashtëm është nën 8 cm, termoizolimi i kulmit nën 10 cm, dhe shtëpia ka dyer e dritare jo efikase); ose

b) shtëpia është pjesërisht e izoluar, por një ose më shumë nga masat e pikës a) nuk i plotësojnë kërkesat minimale.

Në bazë të Rregullores së MESPI nr.04/18 për kërkesat minimale të performancës energjetike të ndërtesave, izolimi termik i mureve të jashtme mbetet një kriter i detyrueshëm në të gjitha rastet. Kjo do të thotë që nëse aplikanti nuk do të investojë në termoizolim, masat e tjera nuk do të miratohen.

Në mënyrë që procesi të jetë sa më i shpejtë, efikas dhe transparent, njoftojmë të gjithë aplikantët në listën e pritjes që të kontrollojnë postën e tyre elektronike (e-mail), në të cilën, me datë 14 qershor 2024, do të pranojnë njoftimin dhe kërkesën që të shprehin interesimin e tyre për të vazhduar tutje me procesin. Njëkohësisht, bëjmë me dije që mungesa e ndonjërës nga informatat e kërkuara në  email, do të rezultojë me diskualifikim të kërkesës për trajtim të mëtutjeshëm.

FKEE pret konfirmime nga të gjithë aplikantët e listës së pritjes, nga e premtja e datës 14 qershor 2024 deri të dielen e datës 23 qershor 2024.

Për informacione të tjera ju ftojmë të kontaktoni FKEE-në përmes email adresës listaepritjes@fkee-rks.net.

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë – FKEE

Prishtinë, 13 Qershor 2024

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) njofton të gjithë përfituesit e thirrjes “ZBATIMI I MASAVE TË EFIÇIENCËS SË ENERGJISË PËR SHTËPITË INDIVIDUALE TË BANIMIT”, që kane kryer punimet dhe nuk kanë aplikuar ende se duhet dorëzojnë dokumentat për disbursim deri më datën 31.07.2024.
Dokumentet për disbursim janë si më poshtë dhe duhet të dorëzohen vetëm në emailin disbursimi@fkee-rks.net.

  1. Formulari i nënshkruar për rimbursim (https://fkee-rks.net/thirrjet-publike/);
  2. Kopja e Letër aprovimit e nënshkruar;
  3. Kopja e letërnjoftimit (nr. personal);
  4. Konfirmim nga banka i llogarisë bankare ose kopja e kartelës bankare (faqja e parë);
  5. Faturat per punimet e kryera (faturat në emër të përfituesit);
  6. Kopja e pagesave të kryera përmes bankës (transaksionet bankare) për të gjitha faturat;
  7. Plotësimi i shtojcave të marrëveshjes e nënshkruar nga punëkryersi dhe përfituesi;
  8. Marrëveshja me punëkryesin për të gjitha punimet, kur kompania i ka blerë edhe materialet, edhe i ka kryer punimet (nëse ka).
    E rëndësishme: Për arsye të respektimit të afateve të vendosura në vendimin e Bordit, të datës 07.02.2024 me nr. protokolli 247/2024, çdo aplikim pas 31.07.2024 nuk do të shqyrtohet nga FKEE.

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë i themeluar në vitin 2019, shumë shpejt u bë kryefjalë e efiçiencës së energjisë. Në vetëm 2 vitet e fundit, FKEE implementoi masat e efiçiencës së energjisë në 83 objekte publike komunale, ndërsa për herë të parë, shpalli thirrjen publike për të subvencionuar me 45% të shumës së investimit për shtëpitë individuale.

Gjithë puna dinamike që zhvillohet për realizimin e projekteve të FKEE-së, pas vetes ka ekipin tejet profesional. Një staf i përbërë nga ekspertë të fushave përkatëse, inxhinierë të profileve të ndryshme, arkitektë, ekonomistë, juristë dhe profesionistë të tjerë.

Në Ditën e Gruas, FKEE është jashtëzakonisht krenare që është institucioni me projekte të suksesshme, falë punës së madhe të grave, punonjëse të institucionit. Nga numri total i punonjësve që është 23, 61% janë gra.

Njomza, Drita, Fitorja, Gearda janë inxhinieret dhe arkitektet, emrat e të cilave janë vulat e projekteve publike dhe subvencionimit të shtëpive individuale. Dhe padyshim janë më shumë se gjysma e departamentit të operacioneve me 57%.

Arita, Ardiana, Delvina, Nora, Arbnora e Remzija, janë gratë që i qëndrojnë prapa secilit proces tjetër, financiar, ligjor e administrativ dhe përmbushin 64% të profesionistëve të tjerë.

Ardiana, Ardita e Anila janë 60%-shi i menaxhmetit të Fondit, të cilat përkujdesen që çdo proces të  koordinohet dhe të ketë mbarëvajtje në zhvillim, me përpikëri dhe në harmoni me ligjin.

Si një nga fushat më të rëndësishme të kohës, efiçienca e energjisë, është duke u zhvilluar në rrugën e duhur me ndikimin madhor të grave, përkushtimin e pashoq të tyre në arritjen e qëllimeve të institucionit.

Fuqia vendimmarrëse e profesionisteve të Fondit, është shembulli më i mirë i përmbushjes së synimit mbarë shoqëror që grave t’u mundësohet barazia që ju takon.

Gëzuar 8 Marsi! Ëndërroni, guxoni, veproni!

Shkruan: Fillojetë Konjuhi, Specialiste për marrëdhënie me publikun

Në vazhdimësi të aktiviteteve dhe partneriteteve të FKEE-së, sot u nënshkrua marrëveshje për mbështetje financiare me GIZ Kosovo.

Kjo mbështetje do të ndihmojë Fondin në zhvillimin e mëtutjeshëm drejt implementimit të masave të efiçiencës së energjisë në sektorë të ndryshëm, duke ndihmuar gjithashtu krijimin e një programi të qëndrueshëm të financimit në të ardhmen.

Drejtori menaxhues i FKEE-së, Driton Hetemi, në takim me Drejtorin e GIZ në Kosovë, David Oberhuber, shprehu mirënjohjen për përkrahjen e vazhdueshme nga GIZ Kosova që ndikon pozitivisht në rritjen e veprimtarisë së Fondit.

Ne emër të Qeverisë Gjermane, GIZ Kosova ka qëndruar afër FKEE-së që nga themelimi, duke ofruar në vazhdimësi mbështetje profesionale për ngritjen e kapaciteteve të institucionit për realizimin e objektivave që ka.

FKEE synon të jetë një institucion i besueshëm dhe i fuqishëm me një portofol të gjerë financimi të projekteve të efiçiencës së energjisë dhe integrimit të burimeve të ripërtëritshme në ndërtesat e sektorit publik, në sektorin rezidencial, dhe më vonë në sektorët e biznesit, transportit e bujqësisë.

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë njofton opinionin publik për përfundimin e punëve në projektin e fundit për vitin 2023.

Është Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Asdreni” në Pejë, që përmbyllë listën prej 42 projekteve në objektet publike komunale, tek të cilat janë implementuar masat e efiçiencës së energjisë si termoizolim i mureve të jashtme, ndërrim i dritareve dhe dyerve të jashtme, sisteme efiçiente të ngrohjes, trupa ndriçues efiçient. Lista e projekteve të implementuara përfshinë objekte shkollore, qendra të mjekësisë familjare, objekte të kuvendeve komunale, qendra të kulturës dhe salla sportive.

Në total, në dy vitet e fundit, FKEE ka përfunduar me sukses 83 projekte publike në 22 komuna, me një kosto rreth 12 milionë euro të financuar nga Bashkimi Evropian, Banka Botërore dhe Qeveria e Republikës së Kosovës.

Me respekt,

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ka kënaqësinë të njoftojë opinionin publik për përmbylljen e procesit të vlerësimit të aplikimeve të pranuara në thirrjen publike “Zbatimi i Masave të Efiçiencës të Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit”.

Nga data 8 deri më 20 gusht 2023, përmes platformës e-Kosova, FKEE ka pranuar 3321 aplikime, dhe pas shqyrtimit nga komisioni vlerësues, 2150 aplikantë kanë marrë para-aprovimin për fillimin e implementimit të masave të efiçiencës së energjisë. Këta aplikantë kanë pranuar “Letrën e Para-Aprovimit” dhe vërtetimin për lirim nga TVSH për blerjen e materialeve dhe kryerjen e punimeve në shtëpitë e tyre. Komunat me numrin më të lartë të përfituesve janë: Prishtina, Podujeva, Peja, Ferizaj dhe Vushtrria.

Nga numri total i aplikimeve, janë anuluar 161 aplikime, prej të cilave 142 për arsye se nuk i kanë plotësuar kriteret e thirrjes publike dhe 19 aplikantë kanë tërhequr aplikimin e tyre. Ndërkaq, 1010 aplikime pa raport të auditorit do të shqyrtohen në rast se mbetet buxhet në dispozicion, pas përfundimit të tërë procesit me aplikimet me raport të auditorit. Aplikantët janë njoftuar në emailin automatik të pranuar nga e-Kosova.

Aktualisht, FKEE ka pranuar rreth 700 aplikime për disbursim të shumës së subvencionuar, nga qytetarët që kanë përfunduar punimet. Këto aplikime janë në proces të verifikimit nga 8 kompani të angazhuara nga FKEE, dhe marrëveshjet e para të disbursimit janë nënshkruar nga përfituesit e parë që kanë dorëzuar dokumentacionin e plotë dhe kanë kaluar verifikimin.

Fondi si donacion prej 10 milionë eurove, i destinuar për këtë projekt, është mundësuar nga Bashkimi Evropian si pjesë e pakos mbështetëse të energjisë, përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës. Përfituesit do të subvencionohen me deri në 45% të shumës së investimit dhe deri në 50% për pronaret gra ose për shtëpitë në bashkëpronësi të bashkëshortëve, pa kaluar shuma maksimale prej 5500 euro, për implementimin e masave të efiçiencës së energjisë, duke përfshirë termoizolimin e mureve të jashtme, termoizolimin e kulmit dhe ndërrimin e dritareve dhe dyerve të jashtme.

Përfituesit janë zgjedhur duke u bazuar në kriteret e përcaktuara nga thirrja publike, duke përfshirë nevojën për shtëpi të banueshme, konsum të energjisë elektrike prej së paku 250kWh për muaj në 21 nga 24 muajt e fundit, si dhe përmbushjen e kritereve teknike dhe izolimit termik.

FKEE është e përkushtuar në vazhdimësi që të mundësojë realizimin e projekteve të tilla, duke kontribuar në mirëqenien e qytetarëve, kursimin e energjisë dhe ruajtjen e ambientit.

Të martën kanë përfunduar punimet në zbatimin e masave të efiçiencës në SHFMU “Rilindja” në Çifllak të Rahovecit.
Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Bankës Botërore dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë në këtë shkollë është bërë termoizolimi i mbështjellësit të jashtëm, ndërrimi i dritareve dhe dyerve të jashtme, instalimi i kaldasë me pelet dhe përmirësimi i rrjetit ekzistues të ngrohjes, vendosja e ndriçimit efiçient-LED.
Drejtori menaxhues i FKEE, Driton Hetemi, tha se janë të përkushtuar që të kontribuojnë për një të ardhme të qëndrueshme përmes implementimit të masave të efiçiencës së energjisë.
Janë edhe tetë objekte të tjera shkollore në komunën e Rahovecit, në të cilat po zbatohen masat e efiçiencës së energjisë, të cilat janë investim mbi 1 milion e 140 mijë euro.

Driton Hetemi është drejtori i ri menaxhues i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

Hetemi ka përvojë të dëshmuar në menaxhim dhe zbatim të projekteve, duke mbajtur pozita menaxhuese për mbi një dekadë. Për 16 vjet me radhë, ka ndërtuar ekspertizë në banka dhe financa, zhvillimin e produkteve, menaxhimin e projekteve, përpunimin e të dhënave, menaxhimin e risqeve, zhvillimin e biznesit dhe relacioneve me publikun.

Studimet universitare, Hetemi i ka përfunduar në Universitetin e Evropës Juglindore në Maqedoninë e Veriut, në drejtimin Administrim Biznesi, ndërsa ka marrë titullin MBA në Menaxhment të Përgjithshëm në Universitetin e Sheffield-it, nga City College në Greqi. Krahas studimeve, Hetemi ka edhe një mori trajnimesh nga institucione kredibile vendase dhe ndërkombëtare, me fokus në menaxhim të burimeve njerëzore, menaxhim të mjedisit dhe financa.  

Aktualisht është edhe anëtar i Bordit të Transmetuesit Publik të Republikës së Kosovës (RTK).

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se është mbyllur aplikimi për thirrjen publike “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit”.

Mbyllja e parakohshme është rezultat i pranimit të mbi 2000 aplikimeve, të cilat përmbushin buxhetin e destinuar për subvencionim të masave, izolim të mureve, kulmit dhe ndërrim të dyerve e dritareve të jashtme, deri në 45% të shumës (5% bonus për shtëpitë që janë pronë e gruas ose bashkëpronësi e çiftit) duke mos kaluar kufirin maksimal 5500 euro.

Ju rikujtojmë se aplikacionet kanë filluar të shqyrtohen sipas radhës të arritjes së tyre dhe tashmë janë dorëzuar edhe letrat e para të para-aprovimit. Të gjithë ata që pranojnë këtë dokument, duhet të ndjekin edhe më tutje rregullat e parapara në thirrjen publike (Thirrja Publike) deri në përfundim të procesit kur edhe marrin paratë. 

Ky projekt mbështetet nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit IPA – Pako për Mbështetjen e Energjisë, i aranzhuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe i zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, të hënën (07.08.2023) ka shënuar fillimin e implementimit të projektit “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit”. Përmes një buxheti prej 10 milionë euro, qytetarët do të subvencionohen deri 45% për implementimin e masave efiçiente si: termoizolim të mureve të jashtme dhe të kulmit, ndërrim të dyerve dhe dritareve.

Anëtarja e Bordit të FKEE, Nora Arifi, njoftoi të pranishmit se një bonus shtesë prej 5%, duke e rritur kështu subvencionin në 50%, do të jepet nëse prona është në bashkëpronësi të bashkëshortëve ose nëse gruaja është pronare e shtëpisë. Arifi falënderoi Bashkimin Evropian për financimin e projektit përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës si dhe Ministrinë e Ekonomisë për mbështetjen e vazhdueshme.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se është e lumtur që po fillon një projekt i cili do të ndikojë në zvogëlimin e faturave të energjisë për qytetarët.

Përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Alessandro Bianciardi, tha se mbeten të përkushtuar për të mbështetur Kosovën në rrugën drejt energjisë së mirë dhe të pastër.

Kushtet e aplikimit  janë që shtëpia të jetë e banueshme, në 21 nga 24 muajt e fundit, me konsum të energjisë elektrike minimum 250 kWh /muajsi dhe nëse shtëpia nuk ka izolim termik apo është pjesërisht e izoluar.

Shuma e kufizuar e subvencionimit është 5,500 euro.

Aplikimi bëhet përmes platformës e-Kosova, nga data 8 gusht 2023.