Kosova bëhet vendi i parë në Ballkanin Perëndimor me fond për efiçiencë të energjisë.
Fondi i Efiçiencës së Energjisë është lansuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik me përkrahje të Bankës Botërore dhe Bashkimit Evropian. Ky fond është krijuar si rezultat i miratimit të ligjit për Efiçiencë të Energjisë në nëntor të vitit 2018. Për këtë fond Qeveria e Kosovës ka ndarë €1 milion, ndërsa Banka Botërore dhe BE-ja kanë zotuar €10 milion.
Nataliya Apostolova, udhëheqëse e Zyrës së BE-së në Kosovë në konferencën e mbajtur sot ka thënë se Kosova ende përballet me sfida si furnizimi i qëndrueshëm me energji, dhe se efiçenca e energjisë është alternativa e vetme e qëndrueshme, e cila rrit sigurinë dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me energji, krijon vende pune dhe përmirëson mjedisin.
“Është e rëndësishme që reformat në sektorin e energjisë në Kosovë të ecin në përputhje me Traktatin e Komunitetit të Energjisë dhe me MSA-në, me qëllim të integrimit gradual në tregjet e energjisë të Evropës. Efiçienca e energjisë ka qenë gjithmonë dhe do të mbetet në qendër të fokus të BE-së në Kosovë. Në të kaluarën BE ka ndarë mbi €19 milion për zbatimin e masave të efiçencës së energjisë në ndërtesat publike. Ne presim që Fondi do të plotësoj stafin me ekipin profesional në 2 muajt e ardhshëm, në mënyrë që të mund të fillojë zbatimin e projekteve të efiçencës së energjisë në ndërtesat publike. Është shumë e rëndësishme që shkollat, kopshtet, qendrat shëndetësore të përfitojnë nga Fondi në Kosovë”, ka thënë Apostolova.
Marco Mantovanelli, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën ndër tjera ka thënë se Kosova kryeson sa i përket energjisë efiçiente në Ballkan. Ai gjithashtu shtoj që investimet e deri tashme nga BE dhe Banka Botërore në lidhje me efiçiencë të energjisë kishin fokus ndërtesat publike dhe në të ardhmen parashihet të ngritën edhe në nivelin e sektorit privat.
Foto: European Union Office in Kosovo