Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), të hënën (20 tetor 2025) ka lansuar Konkursin Kombëtar për Shkollat Fillore të Mesme të Ulëta me temën “Ide të ndritshme për një të ardhme të gjelbër”, një iniciativë që synon të frymëzojë nxënësit e rinj në mbarë Kosovën për të menduar në mënyrë kreative dhe të qëndrueshme për të ardhmen e energjisë.

Konkursi është i hapur për nxënësit e klasave VI-IX nga shkollat publike dhe private në gjithë vendin, përfshirë pjesëmarrës nga të gjitha komunitetet. Qëllimi i tij është të nxisë kreativitetin, mendimin kritik dhe ndërgjegjësimin për rëndësinë e efiçiencës së energjisë (EE) dhe përdorimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë (BRE).

Konkursi përfshin tri kategori:

  1. Ese: “Një e nesërme më e gjelbër – Vizioni im për Efiçiencën e Energjisë dhe Energjinë e Ripërtëritshme”
  2. Vepër artistike: “Energjia për të ardhmen – Një Shprehje Krijuese”
  3. Instalacion kreativ: “Shpikja ime e qëndrueshme”

Afati për dorëzimin e punimeve është 20 nëntor 2025, ndërsa fituesit do të shpallen në një ngjarje të veçantë. Fituesit e tre vendeve të para në secilën kategori do të shpërblehen me nga një pajisje tablet.

Punimet do të vlerësohen nga një juri profesionale, e përbërë nga përfaqësues të FKEE-së, artistë, gazetarë dhe ekspertë të fushës së energjisë dhe mjedisit.

FKEE thekson se ky konkurs është pjesë e misionit institucional për të promovuar kulturën e kursimit të energjisë dhe përdorimin e burimeve të qëndrueshme në të gjitha nivelet e shoqërisë.

 Për më shumë informata mbi konkursin, kriteret e pjesëmarrjes dhe mënyrën e aplikimit, ju ftojmë të vizitoni faqen zyrtare të FKEE-së: www.fkee-rks.net.

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) njofton për iniciativën që synon përmirësimin e kushteve të banimit dhe rritjen e efiçiencës së energjisë për familjet në nevojë.

Përfituesit janë identifikuar nga lista e përfituesve të Asistencës Sociale në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), bazuar në kritere të përcaktuara nga ekspertët e institucioneve përkatëse. Përparësi u është dhënë dy kategorive të familjeve:

 •          ku kryefamiljari është prind vetushqyes;

•           që kanë persona me aftësi të kufizuar.

Brenda këtyre kategorive, janë zbatuar kriteret për përzgjedhjen e familjeve:

•           me më shumë pensionistë,

•           me më shumë persona me aftësi të kufizuar,

•           me prindër vetushqyes,

•           që i përkasin komuniteteve jo shumicë,

•           me numër më të madh anëtarësh,

•           me më shumë anëtarë nën 18 vjeç,

•           dhe varësisht nga burimi i energjisë që përdorin.

Pas identifikimit të përfituesve potencialë, në bashkëpunim me Qendrat për Punë Sociale (QPSH), është iniciuar një proces verifikimi në terren, i cili ka përfshirë vizita në shtëpi dhe mbledhjen e dokumentacionit të nevojshëm, si faturat e energjisë elektrike, certifikatat e pronësisë dhe të dhënat familjare.

Kjo mbështetje mundësohet nga projekti “Rruga gjithëpërfshirëse dhe e drejtë drejt vitit 2030: E ardhmja e energjisë së gjelbër”, i financuar nga Qeveria e Danimarkës, në partneritet me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP). UNDP po punon ngushtë me FKEE-në dhe Ministrinë e Ekonomisë për zbatimin e këtij projekti.

Në vitin 2025, projekti synon të zbatojë masa për efiçiencë të energjisë deri në 70 shtëpi, duke kontribuar në përmirësimin e kushteve të jetesës, uljen e varfërisë energjetike dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të gjelbër për këta banorë.

Deri në vitin 2027, projekti planifikon të përfshijë deri në 200 shtëpi të përzgjedhura nga lista e përfituesve të ndihmës sociale, sipas kritereve të rrepta të pranueshmërisë dhe vlerësimit.

Ky projekt përbën një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi energjetik më të drejtë dhe gjithëpërfshirës në Kosovë, një sistem në të cilin askush nuk mbetet pas në rrugën drejt zhvillimit të qëndrueshëm.

Për më shumë informata, ju lutemi kontaktoni Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë përmes email adresës info@fkee-rks.net apo në numrin e telefonit 038 223 777.

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) njofton se në tremujorin e fundit të vitit do të shpallë 𝐭𝐡𝐢𝐫𝐫𝐣𝐞𝐧 𝐩𝐮𝐛𝐥𝐢𝐤𝐞 𝐩𝐞̈𝐫 𝐚𝐩𝐥𝐢𝐤𝐢𝐦 për përfitim nga investimi në masa të efiçiencës së energjisë në deri 𝟒𝟎𝟎 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐞𝐬𝐚 𝐩𝐮𝐛𝐥𝐢𝐤𝐞 në nivel lokal dhe qendror, në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Ky është projekti më i madh i këtij lloji në vend, i cili do të realizohet nga FKEE në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Përfitimi nga ky projekt do të kufizohet për:

  1. 𝐊𝐨𝐦𝐮𝐧𝐚𝐭 𝐪𝐞̈ 𝐧𝐮𝐤 𝐤𝐚𝐧𝐞̈ 𝐫𝐚𝐩𝐨𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫 𝐬𝐭𝐨𝐤𝐮𝐧 𝐞 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐞𝐬𝐚𝐯𝐞 𝐩𝐮𝐛𝐥𝐢𝐤𝐞 sipas kërkesave të mëhershme nga FKEE. Deri më tani raportet nuk janë dorëzuar nga: Novobërda, Ranillugu, Fushë Kosova, Dragashi, Shtërpca, Kllokoti, Zubin Potoku, Zveçani, Leposaviqi dhe Mitrovica e Veriut.
  2. 𝐊𝐨𝐦𝐮𝐧𝐚𝐭 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐚𝐧𝐞̈ 𝐛𝐨𝐫𝐱𝐡𝐞 𝐚𝐤𝐭𝐢𝐯𝐞 𝐧𝐝𝐚𝐣 𝐅𝐊𝐄𝐄-𝐬𝐞̈ nga projektet e kaluara (kthimet e rregullta të investimit nga skema kthyese, pagesat e tarifave dhe bashkëfinancimi për ndërtesat sociale).

Për këtë arsye:

  • Ftohen të gjitha komunat që nuk kanë raportuar stokun e ndërtesave publike, ta bëjnë këtë 𝐝𝐞𝐫𝐢 𝐦𝐞̈ 𝟐𝟓 𝐠𝐮𝐬𝐡𝐭 𝟐𝟎𝟐𝟓.
  • Ftohen komunat me borxhe aktive ndaj FKEE-së që t’i likuidojnë ato 𝐝𝐞𝐫𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐦𝐮𝐚𝐣𝐢𝐧 𝐬𝐡𝐭𝐚𝐭𝐨𝐫 𝟐𝟎𝟐𝟓.

Vetëm institucionet që plotësojnë këto kushte do të kenë të drejtë të aplikojnë në thirrjen e ardhshme publike.

Për detaje, na shkruani në info@fkee-rks.net.


Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, njofton të gjithë aplikuesit në afatin shtesë të Thirrjes së Dytë Publike për Përfitimin e Subencionimit të Masave të Efiçiencës në shtëpitë Individuale, se nga sot (03.02.2025), ka filluar trajtimin e listës, sipas parimit i pari aplikues merr shërbimin i pari.

Trajtimi i kësaj liste vazhdon për aq fonde sa kanë mbetur dhe të gjithë përfituesit do të pranojnë në email letrat e para-aprovimit.

Ky dokument duhet të nënshkruhet dhe kthehet e skanuar në të njëjtën adresë brenda 5 ditësh.

Punimet ndërtimore dhe kërkesa për disbursim duhet të përfundojnë deri më 30 prill 2025.

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë njofton të gjithë përfituesit e “Thirrjes Publike për Subvencionimin e Masave të Efiçiencës së Energjisë” se është shtyrë afati për aplikim të disbursimit, deri më 30 prill 2025.

Shtyrja e afatit të kryerjes së punimeve vlen për të gjithë aplikuesit që janë duke kryer punimet si përfitues të thirrjes së dytë publike (gusht 2024) dhe aplikuesit e listës së pritjes nga thirrja e parë publike (gusht 2023), për të cilët auditimi i energjisë është kryer nga FKEE.

Vendimi për shtyrje të afatit është bërë në bashkëpunim me donatori e këtij projekti, Bashkimin Evropian.

Luten të gjithë përfituesit që kanë pranuar letrat e para-aprovimit, të kryejnë punimet dhe të aplikojnë për disbursim brenda këtij afati, përmes dorëzimit dokumentacionit të kërkuar sipas thirrjes publike.

Dokumentet duhet të dorëzohen përmes platformës disbursimi.fkee-rks.net.

Me qellim të lehtësimit të aplikimit për disbursim, FKEE ka krijuar një platformë online për aplikim për disbursim në kuadër të projektit “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit”.

VËMENDJE: Përfituesit të cilit tashmë kanë përfunduar punimet dhe kanë dorëzuar dokumentacionin përmes emailit, nuk kanë nevojë të ri-aplikojnë në platformë.

Linku i platformës: disbursimi.fkee-rks.net

Hapat për aplikim:

  • Hapni linkun dhe plotësoni të dhënat kryesore (email dhe numrin personal).
  • Ngarkoni dokumentet e kërkuara (kusht për vazhdim në hapat tjerë të procedurës).
  • Në faqen e dytë, zgjedhni opsionin për faturë dhe ngarkoni dokumentet relevante. Në faqet tjera ngarko dokumentet e kërkuara (Formulari për Disbursim dhe Anekset 2 dhe 3 janë të bashkëngjitura më poshtë).
  • Pasi të keni përfunduar të gjithë hapat e aplikimit, do të pranoni konfirmimin me email.

Ju lutemi përdorni vetëm këtë platformë për të përshpejtuar procesin e disbursimit. Afati i fundit për aplikim është 31.12.2024.

Për çfarëdo paqartësie apo vështirësie, na kontaktoni:

  • Telefon: 0800 222 70 / +383 (0)38 223 776.
  • Email: disbursimi@fkee-rks.net

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, ka nënshkruar marrëveshjet e para me komunat përfituese, për projektin “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Ndërtesat Shumë-Banesore Sociale”.

Prishtina, Skenderaj, Vitia, Gjilani, Drenasi dhe Malisheva, janë 6 nga 13 komunat, në të cilat 28 objekte do të shndërrohen në banesa komode për 785 familje, falë donacionit të Bashkimit Evropian, përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës. Pjesa prej 90% do të paguhet nga ky fond, përderisa 10% do të kontribuojnë komunat respektive. 

Me një buxhet prej 5.5 milionë euro për 22 objektet e para, në komunat që nënshkruan marrëveshjet, do të investohet në termoizolimin  e mbështjellësit të ndërtesës dhe kulmit, zëvendësimin e dritareve dhe dyerve kryesore, instalimin e sistemit të ngrohjes me kondicionerë ajri për secilën njësi familjare, renovimin e hyrjeve dhe instalimin e sistemit të interfonisë, masat për mbrojtje kundër zjarrit dhe detektorët e tymit.

Kamenica, Klina, Obiliqi dhe Istogu do të nënshkruajnë marrëveshjet përfundimtare, gjatë javës së ardhshme ndërsa ende nuk kanë përfunduar procedurat tenderuese për komunën e Mitrovicës, Lipjanit dhe Prizrenit.

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se buxheti prej 5 milionë euro, i destinuar për projektin “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit”, 𝐭𝐚𝐬𝐡𝐦𝐞̈ 𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐞̈ 𝐝𝐫𝐞𝐣𝐭 𝐩𝐞̈𝐫𝐟𝐮𝐧𝐝𝐢𝐦𝐢𝐭.

Me këtë rast, luten të gjithë të interesuarit për të përfituar nga subvencionimi prej 45% (5% shtesë për shtëpitë që janë pronë e gruas ose bashkëpronësi e çiftit) duke mos kaluar kufirin maksimal 5500 euro, të shfrytëzojnë kohën e mbetur deri në 𝐩𝐞̈𝐫𝐦𝐛𝐲𝐥𝐥𝐣𝐞 𝐩𝐨𝐭𝐞𝐧𝐜𝐢𝐚𝐥𝐢𝐬𝐡𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐩𝐚𝐫𝐚𝐤𝐨𝐡𝐬𝐡𝐦𝐞, në pajtim me njoftimin në thirrjen publike.

Ju rikujtojmë se aplikacionet kanë filluar të shqyrtohen sipas radhës së arritjes së tyre dhe ato që janë dorëzuar me dokumente të gabuara, po largohen nga lista duke u dhënë mundësi të riaplikimit.

Të gjithë ata që pranojnë letrën e para-aprovimit, duhet të ndjekin edhe më tutje rregullat e parapara në thirrjen publike (Thirrja Publike) deri në përfundim të procesit kur edhe marrin paratë. Pra, punimet duhet të fillojnë vetëm pas para-aprovimit nga FKEE dhe ato duhet të përfundojnë më së largu me datën 31.12.2024.

Ky projekt mbështetet nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit IPA – Pako për Mbështetjen e Energjisë, i aranzhuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe i zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se aplikimi për subvencionim të masave të efiçiencës së Energjisë në shtëpitë e tyre të banimit, në platformën e-Kosova, është i hapur nga dita e martë, më 27 gusht 2024 ora 09:00, deri më 10 shtator 2024 në ora 16:00. Megjithatë, FKEE rezervon të drejtën të mbyllë thirrjen para kohe në rast se buxheti i dedikuar rezervohet nga aplikimet, ose të zgjasë afatin për aplikim varësisht nga fondet në dispozicion.

Të gjithë të interesuarit ftohen që paraprakisht ta lexojnë në përpikmëri Thirrjen Publike, e cila gjendet në uebfaqen zyrtare të FKEE-së (www.fkee-rks.net), në mënyrë që t’u përmbahen kritereve të përzgjedhjes dhe udhëzimeve rreth aplikimit.

Përmes një buxheti prej 5 milionë euro, donacion nga Bashkimi Evropian përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës, FKEE synon të subvencionojë rreth 1300 familje, me grant deri në 45% të shumës së investimit apo 50% për gratë pronare ose shtëpitë në pronësi të çiftit, pa kaluar shumën totale të subvencionit prej 5500 euro. Pra, nëse investimi i familjes përfituese në total do të kushtojë 10 mijë euro, mund të përfitohet subvencion nga Fondi deri në 4500 euro pas kryerjes së punimeve që duhet të përfundojnë deri më 31 dhjetor 2024.

Masat e efiçiencës së energjisë, për të cilat qytetarët mund të aplikojnë janë: termoizolimi i mureve të jashtme, termoizolimi i kulmit, si dhe ndërrimi i dritareve dhe dyerve të jashtme.

Ndër kriteret kryesore të pranueshmërisë theksojmë së aplikuesi duhet të jetë qytetar i Republikës së Kosovës, të jetë i regjistruar dhe i verifikuar në platformën eKosova, të ketë shtëpinë të banueshme dhe të lidhur me furnizuesit operues energjetikë në Republikën e Kosovës, të këtë konsum të energjisë elektike dhe pagesë për atë konsum si dhe t’i plotësojë kriteret teknike të sqaruara në dokumentet e thirrjes në uebfaqen e FKEE-së.

Rikujtojmë se thirrja publike nuk vlen për punimet që tashmë kanë filluar dhe se raportet e auditimit të thjeshtëzuar duhet të jenë jo më të vjetra se data e shpalljes së thirrjes.

Të gjithë qytetarët që kanë paqartësi rreth përmbajtjes së thirrjes, mund të na vizitojnë në zyret tona në Prishtinë dhe Mitrovicë të Veriut, apo të na kontaktojnë përmes numrave të telefonit 038 223 777 dhe 038 223 776 në zyrën tonë në Prishtinë, si dhe në numrin 045 755 444 në zyren tonë në Mitrovicën e Veriut, apo përmes email adresës thirrjapublike@fkee-rks.net.

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) po hap për të dytin vit radhazi thirrjen publike për subvencionimin e masave të efiçiencës së energjisë në sektorin rezidencial- shtëpi individuale. Me një buxhet prej 5 milionë euro, të siguruar nga Bashkimi Evropian përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës, qytetarët do të mund të përfitojnë 45% të shumës së investimit në masa si: izolimi i mureve të jashtme, izolimi i kulmit, dhe ndërrimi i dritareve dhe dyerve të jashtme. Një bonus prej 5% është paraparë për rastet kur shtëpia është në bashkëpronësi të çiftit ose në pronësi të gruas. Në të dyja rastet, shuma e subvencionimit nuk mund të kalojë vlerën e 5500 eurove.

Thirrja e parë publike, e hapur në gusht të vitit të kaluar, ka treguar se implementimi i masave të efiçiencës së energjisë në shtëpitë e përfituesve ka ndikuar në kursimin e energjisë dhe lëndëve të tjera të përdorura për ngrohje, si dhe ka rritur komoditetin e qytetarëve në shtëpitë e tyre. Investimi i bërë nga qytetarët në këto masa, përveç subvencionimit nga FKEE, është një investim që kthehet përmes këtyre kursimeve.

Për të lehtësuar aplikimin në ditën kur do të hapet thirrja e dytë, është e rëndësishme që qytetarët të sigurohen se kanë letërnjoftim të vlefshëm të Republikës së Kosovës dhe të kenë një llogari të hapur në platformën e-Kosova, duke bërë edhe verifikimin e nivelit të dytë. Çdo qytetar që do të aplikojë për përfitim nga subvencioni duhet të jetë pagues i energjisë elektrike.

Aplikimi përbëhet nga disa hapa që duhet të ndiqen me përpikëri nga aplikuesit për të përfunduar me sukses:

  • Hapja e llogarisë në e-Kosova;
  • Verifikimi i konsumimit të energjisë përmes kësaj platforme;
  • Nëse kalojnë kriterin e konsumit të energjisë, të angazhojnë një auditor të energjisë i cili do të bëjë raportin e thjeshtëzuar të auditimit;
  • Pasi të marrin këtë raport të thjeshtëzuar të auditimit, mund të fillojnë aplikimin në e-Kosova, duke plotësuar të gjitha fushoret dhe duke ngarkuar raportin e auditimit.

Krahas thirrjes publike si dokument zyrtar, FKEE do të publikojë edhe udhëzuesit me detaje rreth mënyrës së aplikimit, si ndihmë shtesë për të gjithë të interesuarit që të përfitojnë nga kjo mundësi. Gjithashtu, stafi i FKEE-së në zyrën rajonale në Mitrovicën e Veriut dhe në zyrën qendrore në Prishtinë, është i gatshëm për informim rreth aplikimit për të gjithë qytetarët.

Pas aplikimit, komisioni verifikues do të bëjë vlerësimin e aplikacioneve. Pas shqyrtimit, FKEE do të dërgojë aplikuesve “Letrën e para-aprovimit”, e cila përmban të gjitha detajet dhe shërben si dëshmi për të filluar punimet. Është e rëndësishme që qytetarët të mos fillojnë punimet para pranimit dhe nënshkrimit të këtij dokumenti, sepse në të kundërtën do të humbasin mundësinë e subvencionimit.

Kompanitë e angazhuara nga qytetarët për kryerjen e punimeve, duhet të jenë të regjistruara dhe për qytetarët duhet të lëshojnë faturat e rregullta me të gjitha pozicionet e punimeve, ndërsa të gjitha pagesat duhet të bëhen përmes bankës, me dëshmi të transaksioneve bankare.

Me përfundimin e punimeve, qytetari duhet të informojë FKEE-në duke dërguar të gjithë dokumentacionin e kërkuar nga thirrja publike. FKEE do të dërgojë kompani verifikuese për të siguruar që punimet janë kryer sipas kritereve të përcaktuara në thirrjen publike, përpara disbursimit të shumës së subvencionuar.

Afati për përfundimin e punimeve dhe paraqitjen e kërkesës për disbursim është deri më 31 dhjetor 2024, ndërsa për ditën e hapjes së thirrjes, qytetarët do të njoftohen së shpejti.