Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, ka nënshkruar marrëveshjet e para me komunat përfituese, për projektin “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Ndërtesat Shumë-Banesore Sociale”.
Prishtina, Skenderaj, Vitia, Gjilani, Drenasi dhe Malisheva, janë 6 nga 13 komunat, në të cilat 28 objekte do të shndërrohen në banesa komode për 785 familje, falë donacionit të Bashkimit Evropian, përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës. Pjesa prej 90% do të paguhet nga ky fond, përderisa 10% do të kontribuojnë komunat respektive.
Me një buxhet prej 5.5 milionë euro për 22 objektet e para, në komunat që nënshkruan marrëveshjet, do të investohet në termoizolimin e mbështjellësit të ndërtesës dhe kulmit, zëvendësimin e dritareve dhe dyerve kryesore, instalimin e sistemit të ngrohjes me kondicionerë ajri për secilën njësi familjare, renovimin e hyrjeve dhe instalimin e sistemit të interfonisë, masat për mbrojtje kundër zjarrit dhe detektorët e tymit.
Kamenica, Klina, Obiliqi dhe Istogu do të nënshkruajnë marrëveshjet përfundimtare, gjatë javës së ardhshme ndërsa ende nuk kanë përfunduar procedurat tenderuese për komunën e Mitrovicës, Lipjanit dhe Prizrenit.