Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, të hënën (07.08.2023) ka shënuar fillimin e implementimit të projektit “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit”. Përmes një buxheti prej 10 milionë euro, qytetarët do të subvencionohen deri 45% për implementimin e masave efiçiente si: termoizolim të mureve të jashtme dhe të kulmit, ndërrim të dyerve dhe dritareve.
Anëtarja e Bordit të FKEE, Nora Arifi, njoftoi të pranishmit se një bonus shtesë prej 5%, duke e rritur kështu subvencionin në 50%, do të jepet nëse prona është në bashkëpronësi të bashkëshortëve ose nëse gruaja është pronare e shtëpisë. Arifi falënderoi Bashkimin Evropian për financimin e projektit përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës si dhe Ministrinë e Ekonomisë për mbështetjen e vazhdueshme.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se është e lumtur që po fillon një projekt i cili do të ndikojë në zvogëlimin e faturave të energjisë për qytetarët.
Përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Alessandro Bianciardi, tha se mbeten të përkushtuar për të mbështetur Kosovën në rrugën drejt energjisë së mirë dhe të pastër.
Kushtet e aplikimit janë që shtëpia të jetë e banueshme, në 21 nga 24 muajt e fundit, me konsum të energjisë elektrike minimum 250 kWh /muajsi dhe nëse shtëpia nuk ka izolim termik apo është pjesërisht e izoluar.
Shuma e kufizuar e subvencionimit është 5,500 euro.
Aplikimi bëhet përmes platformës e-Kosova, nga data 8 gusht 2023.