Ndërtesa e Komunës dhe Qendra e Kulturës Adem Jashari në Istog janë projektet e radhës që do të përfitojnë nga pakoja e tretë e investimeve në masat e efiçiencës së energjisë nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.
Masat që do të zbatohen në këto dy objekte përfshijnë: termoizolimin e mbështjellësit të ndërtesës (termoizolimi i mureve, izolimi efikas i dritareve dhe çatisë), zëvendësimi i bojlerit ekzistues me atë efikas, pastrimi i rrjetit të tubacioneve, instalimi i valvola termostatike dinamike që sigurojnë temperaturat e brendshme sipas normave të kërkuara, si dhe punimet elektrike që përfshijnë ndryshimin e trupave të ndriçimit joefikas në efiçent (LED). Këto investime kapin vlerën mbi 580 mijë euro dhe synohet që përmes tyre të kursehen rreth 370 MWh në vit ose rreth 60% e konsumit total të këtyre dy objekteve, ndërsa punimet pritet të përfundojnë brenda këtij viti.
Falënderojmë komunën e Istogut për bashkëpunimin, si dhe donatorët tanë: Zyrën e BE-së në Kosovë, Bankën Botërore dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për mbështetjen dhe financimin e tyre.