Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ju njofton për mundësinë e angazhimit tuaj si Auditorë të Certifikuar të Energjisë me qëllim të zbatimit të Projektit Emergjent “Zbatimi i Masave te Efiçiencës së Energjisë ne Sektorin Privat – Shtëpitë individuale”.

Ky projekt që synon rritjen e kursimit të energjisë dhe rritjen e mirëqenies në shtëpitë individuale, mbështetet nga Bashkimi Evropian, programi IPA – Pako e Mbështetjes për Energji, e siguruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Projekti zbatohet nga FKEE dhe do të bashkë financohet nga vetë përfituesit/pronarët e shtëpive individuale të përzgjedhura në një proces aplikimi që do të hapet së shpejti.

FKEE i fton të gjithë auditorët e certifikuar të energjisë që të shprehin interesimin e tyre për t’u bërë pjesë e projektit duke ofruar shërbime profesionale për qytetarët të cilët do të aplikojnë për mbështetje financiare (grant) që të investojnë në masat e efiçiencës së energjisë.

Roli i Auditorit të Certifikuar të Energjisë brenda këtij projekti do të jetë kryerja e një auditimi (Walk-through Energy Audit) të shtëpive për secilin aplikues, me qëllim të analizës së gjendjes aktuale të shtëpisë, verifikimit dhe konfirmimit të masave të nevojshme për t’u implementuar sipas kërkesave teknike të vendosura nga FKEE. Ky proces zhvillohet për shtëpitë të cilat janë subjekt i aplikimit për përfitimin e grantit në zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë në ndërtesat në pronësi individuale. Angazhimi i auditorit do të realizohet nga vet aplikuesi, përkatësisht nga pronari i shtëpisë i cili do të aplikojë për grant nga FKEE. Auditori përgatit një raport sipas formatit të përcaktuar nga FKEE (formati i bashkangjitur në web faqen e FKEE-së), i cili raport është kusht kryesor për dërgimin dhe vlerësimin e aplikacionit. Përveç konstatimit se shtëpia i plotëson kushtet për përfitim, raporti duhet të përmbajë masat e rekomanduara dhe dakorduara me aplikuesin, para-masën dhe para-llogarinë për shtëpinë për të cilën aplikohet.

Pas shprehjes së interesimit tuaj për angazhim si auditor në projektin e FKEE, do të përditësohet lista e auditorëve të energjisë e cila do të publikohet ne web faqen e FKEE-së (www.fkee-ks.net). Kjo listë do të shërbejë për qytetarët që do të ju kontaktojnë për shërbimet në profesionale të auditimit të energjisë në shtëpitë e tyre individuale. Theksojmë se raporti që përpilohet nga ana e auditorit në formatin e caktuar, shërben si kusht që të vazhdohet me aplikimet për grant në projektin e FKEE-së.

Për shërbimin e ofruar për aplikuesin nga ana e auditorit të certifikuar të energjisë, FKEE do të përcaktoj një tarifë fikse, e cila do të rimbursohet tek aplikuesi në fund të projektit me rastin e disbursimit të grantit. Pavarësisht nga kostoja që aplikuesi ka paguar tek auditori me rastin e angazhimit nga ana e tij në mënyrë të pavarur, tarifa që do të kompensohet nga FKEE-ja është fikse dhe e njëjtë për të gjithë aplikuesit.

Sipas kërkesës nga ana e përfituesit potencial, Auditori i Energjisë mund të mbështes atë në fazën e para- aplikimit për grant/subvencion, gjatë aplikimit dhe/ose zbatimit të projektit. Relacioni mes përfituesit dhe auditorit është vullnet i pavarur, jashtë ndikimit dhe përgjegjësive të FKEE-së.

Auditorët që shprehin interesimin për të qenë pjesë e listës së auditorëve të energjisë në projektin e zbatuar nga FKEE, do të ftohen për prezantim të detajuar në nivelin teknik.

Konfirmimin për shprehjen e interesit ju lutemi ta bëni përmes LINKUT deri më datën 09.08.2024. Për informata shtesë na kontaktoni në info@fkee-rks.net ose telefon 038/ 223 – 777.

VËMENDJE!

FKEE i bën thirrje të gjithe autitorëve të regjistruar, që të kenë kujdes në përpilimin e raporteve, llogaritjen e sasive të materialeve, duke mos shkelur etikën profesionale gjatë vlerësimeve të shtëpive dhe masat të përcaktuara nga FKEE. Çdo raport me të dhëna të pasakta apo aprovim i rasteve, të cilat nuk plotësojnë kriteret e përcaktuara, do të konsiderohet tendencë për mashtrim. Në raste të tilla FKEE do të largojë përhershëm nga lista e saj auditorët e papërgjegjshëm dhe do t’i raportojë në Ministrinë e Ekonomisë.