Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë mirëpret ratifikimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për realizimin e projektit të efiçiencës së energjisë në ndërtesa publike, nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Ky veprim i rëndësishëm institucional hap rrugën për zbatimin e projektit më të madh të efiçiencës së energjisë në ndërtesa publike në vend, i cili parashihet të përfshijë rinovimin e deri në 400 ndërtesave në nivel qendror dhe lokal. Projekti synon përmirësimin e performancës energjetike dhe rritjen e komoditetit për përdoruesit e këtyre ndërtesave.
Vlera totale e investimit arrin në 86 milionë euro dhe përfshin:
• 50 milionë euro kredi nga BERZH përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës
• 12.6 milionë euro bashkëfinancim nga Qeveria e Republikës së Kosovës
• 20 milionë euro grante nga donatorë ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Fondin Danez për Kosovën
• 3.4 milionë euro grant për asistencë teknike, mbështetje për njësinë implementuese dhe hartimin e studimeve të fizibilitetit
FKEE aktualisht është në proces të përgatitjes së thirrjes publike, përmes së cilës komunat dhe institucionet qendrore do të kenë mundësinë të aplikojnë për përfitim nga ky projekt.
Me këtë rast, FKEE rikujton të gjitha komunat që kanë marrëveshje paraprake me Fondin dhe detyrime të papaguara, që të bëjnë likuidimin e tyre në kohë, në mënyrë që të hiqen kufizimet për të drejtën e aplikimit në këtë program.
Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë mbetet i përkushtuar në avancimin e investimeve që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm, përmirësimin e kushteve në sektorin publik dhe përmbushjen e objektivave të strategjisë për energjinë në vend.
