FKEE realizon dorëzim-pranimin e detyrës së Drejtorit Menaxhues

  • Fkee
  • Blog
  • Lajmet
  • FKEE realizon dorëzim-pranimin e detyrës së Drejtorit Menaxhues

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) njofton se sot është realizuar procesi i dorëzim–pranimit të detyrës së Drejtorit Menaxhues, nga z. Driton Hetemi tek znj. Njomza Hoxha, e cila është emëruar Drejtoreshë Menaxhuese e FKEE-së dhe do të fillojë zyrtarisht ushtrimin e detyrës më 16 shkurt 2026.

FKEE shpreh falënderim të veçantë për z. Driton Hetemi për udhëheqjen e suksesshme të Fondit gjatë mandatit të tij, gjatë së cilit institucioni ka shënuar arritje të rëndësishme, përfshirë riorganizimin e plotë institucional, përfundimin e një numri të madh projektesh në sektorin publik dhe rezidencial, dizajnimin dhe konceptimin e projekteve të reja për vitet në vijim, ngritjen e kapaciteteve dhe digjitalizimin e operacioneve, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me donatorë aktualë dhe të rinj, rrjetëzimin dhe afirmimin publik e ndërkombëtar të institucionit, si dhe trajnimin dhe certifikimin profesional të stafit.

Drejtoresha Menaxhuese e sapoemëruar, Znj. Njomza Hoxha, sjell me vete përvojë të gjerë profesionale në fushën e financave publike, menaxhimit financiar, auditimit si dhe qeverisjes institucionale dhe korporative. Ajo ka ushtruar role mbikëqyrëse në sektorin bankar përfshirë angazhimin në komitete në nivel bordi të auditimit të brendshëm, menaxhimit të rrezikut, dhe teknologjisë së informacionit. Po ashtu, znj. Hoxha është vlerësuese e ҫertifikuar e pronave të paluajtshme dhe ka përgatitje universitare në banka, financa dhe kontabilitet, përfshirë edhe studime pasuniversitare në këtë fushë. Gjatë karrierës së saj, ajo ka qenë e përfshirë në projekte të rëndësishme të reformave financiare, këshillimit dhe menaxhimit në sektorin publik dhe privat, përfshirë projekte për efiҫiencë të energjisë dhe energjisë së ripërtëritshme të financuara nga partnerë ndërkombëtarë si Banka Botërore, USAID dhe LuxDev duke kontribuar në përmirësimin e sistemeve të menaxhimit financiar, rritjen e transparencës dhe forcimin e qeverisjes së mirë në institucionet publike në nivel lokal dhe qendror.

FKEE shpreh mirënjohje për ekipin profesional të Fondit dhe Bordin e Drejtorëve për përkushtimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, për Qeverinë e Republikës së Kosovës, Ministrinë e Ekonomisë, si dhe për donatorët dhe partnerët vendorë e ndërkombëtarë për mbështetjen financiare dhe teknike të programeve të FKEE-së.

FKEE mbetet me përkushtimin ndaj misionit institucional dhe shpreh besimin se nën udhëheqjen e Drejtoreshës së re Menaxhuese, znj. Njomza Hoxha, institucioni do të vazhdojë të arrijë rezultate të reja në fushën e efiçiencës së energjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Bëj një Koment

Adresa juaj e email-it nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë të shënuara*