Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se aplikimi për subvencionim të masave të efiçiencës së Energjisë në shtëpitë e tyre të banimit, në platformën e-Kosova, është i hapur nga dita e martë, më 27 gusht 2024 ora 09:00, deri më 10 shtator 2024 në ora 16:00. Megjithatë, FKEE rezervon të drejtën të mbyllë thirrjen para kohe në rast se buxheti i dedikuar rezervohet nga aplikimet, ose të zgjasë afatin për aplikim varësisht nga fondet në dispozicion.

Të gjithë të interesuarit ftohen që paraprakisht ta lexojnë në përpikmëri Thirrjen Publike, e cila gjendet në uebfaqen zyrtare të FKEE-së (www.fkee-rks.net), në mënyrë që t’u përmbahen kritereve të përzgjedhjes dhe udhëzimeve rreth aplikimit.

Përmes një buxheti prej 5 milionë euro, donacion nga Bashkimi Evropian përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës, FKEE synon të subvencionojë rreth 1300 familje, me grant deri në 45% të shumës së investimit apo 50% për gratë pronare ose shtëpitë në pronësi të çiftit, pa kaluar shumën totale të subvencionit prej 5500 euro. Pra, nëse investimi i familjes përfituese në total do të kushtojë 10 mijë euro, mund të përfitohet subvencion nga Fondi deri në 4500 euro pas kryerjes së punimeve që duhet të përfundojnë deri më 31 dhjetor 2024.

Masat e efiçiencës së energjisë, për të cilat qytetarët mund të aplikojnë janë: termoizolimi i mureve të jashtme, termoizolimi i kulmit, si dhe ndërrimi i dritareve dhe dyerve të jashtme.

Ndër kriteret kryesore të pranueshmërisë theksojmë së aplikuesi duhet të jetë qytetar i Republikës së Kosovës, të jetë i regjistruar dhe i verifikuar në platformën eKosova, të ketë shtëpinë të banueshme dhe të lidhur me furnizuesit operues energjetikë në Republikën e Kosovës, të këtë konsum të energjisë elektike dhe pagesë për atë konsum si dhe t’i plotësojë kriteret teknike të sqaruara në dokumentet e thirrjes në uebfaqen e FKEE-së.

Rikujtojmë se thirrja publike nuk vlen për punimet që tashmë kanë filluar dhe se raportet e auditimit të thjeshtëzuar duhet të jenë jo më të vjetra se data e shpalljes së thirrjes.

Të gjithë qytetarët që kanë paqartësi rreth përmbajtjes së thirrjes, mund të na vizitojnë në zyret tona në Prishtinë dhe Mitrovicë të Veriut, apo të na kontaktojnë përmes numrave të telefonit 038 223 777 dhe 038 223 776 në zyrën tonë në Prishtinë, si dhe në numrin 045 755 444 në zyren tonë në Mitrovicën e Veriut, apo përmes email adresës thirrjapublike@fkee-rks.net.