Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) po hap për të dytin vit radhazi thirrjen publike për subvencionimin e masave të efiçiencës së energjisë në sektorin rezidencial- shtëpi individuale. Me një buxhet prej 5 milionë euro, të siguruar nga Bashkimi Evropian përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës, qytetarët do të mund të përfitojnë 45% të shumës së investimit në masa si: izolimi i mureve të jashtme, izolimi i kulmit, dhe ndërrimi i dritareve dhe dyerve të jashtme. Një bonus prej 5% është paraparë për rastet kur shtëpia është në bashkëpronësi të çiftit ose në pronësi të gruas. Në të dyja rastet, shuma e subvencionimit nuk mund të kalojë vlerën e 5500 eurove.
Thirrja e parë publike, e hapur në gusht të vitit të kaluar, ka treguar se implementimi i masave të efiçiencës së energjisë në shtëpitë e përfituesve ka ndikuar në kursimin e energjisë dhe lëndëve të tjera të përdorura për ngrohje, si dhe ka rritur komoditetin e qytetarëve në shtëpitë e tyre. Investimi i bërë nga qytetarët në këto masa, përveç subvencionimit nga FKEE, është një investim që kthehet përmes këtyre kursimeve.
Për të lehtësuar aplikimin në ditën kur do të hapet thirrja e dytë, është e rëndësishme që qytetarët të sigurohen se kanë letërnjoftim të vlefshëm të Republikës së Kosovës dhe të kenë një llogari të hapur në platformën e-Kosova, duke bërë edhe verifikimin e nivelit të dytë. Çdo qytetar që do të aplikojë për përfitim nga subvencioni duhet të jetë pagues i energjisë elektrike.
Aplikimi përbëhet nga disa hapa që duhet të ndiqen me përpikëri nga aplikuesit për të përfunduar me sukses:
- Hapja e llogarisë në e-Kosova;
- Verifikimi i konsumimit të energjisë përmes kësaj platforme;
- Nëse kalojnë kriterin e konsumit të energjisë, të angazhojnë një auditor të energjisë i cili do të bëjë raportin e thjeshtëzuar të auditimit;
- Pasi të marrin këtë raport të thjeshtëzuar të auditimit, mund të fillojnë aplikimin në e-Kosova, duke plotësuar të gjitha fushoret dhe duke ngarkuar raportin e auditimit.
Krahas thirrjes publike si dokument zyrtar, FKEE do të publikojë edhe udhëzuesit me detaje rreth mënyrës së aplikimit, si ndihmë shtesë për të gjithë të interesuarit që të përfitojnë nga kjo mundësi. Gjithashtu, stafi i FKEE-së në zyrën rajonale në Mitrovicën e Veriut dhe në zyrën qendrore në Prishtinë, është i gatshëm për informim rreth aplikimit për të gjithë qytetarët.
Pas aplikimit, komisioni verifikues do të bëjë vlerësimin e aplikacioneve. Pas shqyrtimit, FKEE do të dërgojë aplikuesve “Letrën e para-aprovimit”, e cila përmban të gjitha detajet dhe shërben si dëshmi për të filluar punimet. Është e rëndësishme që qytetarët të mos fillojnë punimet para pranimit dhe nënshkrimit të këtij dokumenti, sepse në të kundërtën do të humbasin mundësinë e subvencionimit.
Kompanitë e angazhuara nga qytetarët për kryerjen e punimeve, duhet të jenë të regjistruara dhe për qytetarët duhet të lëshojnë faturat e rregullta me të gjitha pozicionet e punimeve, ndërsa të gjitha pagesat duhet të bëhen përmes bankës, me dëshmi të transaksioneve bankare.
Me përfundimin e punimeve, qytetari duhet të informojë FKEE-në duke dërguar të gjithë dokumentacionin e kërkuar nga thirrja publike. FKEE do të dërgojë kompani verifikuese për të siguruar që punimet janë kryer sipas kritereve të përcaktuara në thirrjen publike, përpara disbursimit të shumës së subvencionuar.
Afati për përfundimin e punimeve dhe paraqitjen e kërkesës për disbursim është deri më 31 dhjetor 2024, ndërsa për ditën e hapjes së thirrjes, qytetarët do të njoftohen së shpejti.