Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjise (FKEE) njofton se nesër, 14 qershor 2024, fillon shqyrtimi i listës së pritjes për aplikantët që kanë shprehur interesimin vitin e kaluar për të përfituar nga subvencionimi i investimeve për implementim të masave të energjisë efiçiente në shtëpitë individuale.

Thirrja fillestare për përfitim nga subvencionimi i mundësuar nga Bashkimi Evopian dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, ka qenë aktive nga data 8 gusht 2023 deri më 25 shtator 2023 dhe në bazë të kushteve të thirrjes, konkretisht të pikës 2.1 “Aplikimi pa Raport të Auditimit të Energjisë”, është thënë se:

 “Në rast se aplikanti, për çfarëdo arsye, nuk ka gjetur një auditor të çertifikuar të energjisë për të bërë auditimin e thjeshtëzuar të energjisë (walk-through audit), ai aplikacion do të vendoset në listë të pritjes, ndërsa shqyrtimi i tij i mëvonshëm do të merret parasysh nëse plotësohen dy kushtet e mëposhtme:

• Buxheti i destinuar për thirrjen ende nuk është shpenzuar; dhe

• Kontraktimi i Auditorëve të Energjisë bëhet nga ana e FKEE-së. “

Në lidhje me këtë, në mënyrë që të përmbushet ky kusht i thirrjes, FKEE fton të gjithë aplikantët në listën e pritjes, e që janë rreth 1000 sosh, të njoftojnë FKEE-në nëse ende janë të interesuar për të përfituar nga subvencionimi i implementimit të Masave të Efiçiencës së Energjisë (MEE).

Për të gjithë të interesuarit, rikujojmë se kriteret që kërkohen për t’u kualifikuar për subvencionimin, janë:

  • Shtëpia të jetë e banueshme në 21 nga 24 muajt e fundit (si kriter bazë), e që ka një konsum energjie të energjisë elektrike prej të paktën 250 kËh (kilovat/orë) në muaj;
  • Gjithashtu, duhet të plotësohet së paku njëri nga kriteret si në vijim:

a) shtëpia nuk ka termoizolim ose është nën kërkesat minimale teknike (trashësia e izolimit të murit të jashtëm është nën 8 cm, termoizolimi i kulmit nën 10 cm, dhe shtëpia ka dyer e dritare jo efikase); ose

b) shtëpia është pjesërisht e izoluar, por një ose më shumë nga masat e pikës a) nuk i plotësojnë kërkesat minimale.

Në bazë të Rregullores së MESPI nr.04/18 për kërkesat minimale të performancës energjetike të ndërtesave, izolimi termik i mureve të jashtme mbetet një kriter i detyrueshëm në të gjitha rastet. Kjo do të thotë që nëse aplikanti nuk do të investojë në termoizolim, masat e tjera nuk do të miratohen.

Në mënyrë që procesi të jetë sa më i shpejtë, efikas dhe transparent, njoftojmë të gjithë aplikantët në listën e pritjes që të kontrollojnë postën e tyre elektronike (e-mail), në të cilën, me datë 14 qershor 2024, do të pranojnë njoftimin dhe kërkesën që të shprehin interesimin e tyre për të vazhduar tutje me procesin. Njëkohësisht, bëjmë me dije që mungesa e ndonjërës nga informatat e kërkuara në  email, do të rezultojë me diskualifikim të kërkesës për trajtim të mëtutjeshëm.

FKEE pret konfirmime nga të gjithë aplikantët e listës së pritjes, nga e premtja e datës 14 qershor 2024 deri të dielen e datës 23 qershor 2024.

Për informacione të tjera ju ftojmë të kontaktoni FKEE-në përmes email adresës listaepritjes@fkee-rks.net.

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë – FKEE

Prishtinë, 13 Qershor 2024