Investime të reja në masa të EE në Komunën e Istogut

Objekti i Komunës dhe Qendra Kulturore Adem Jashari nё Istog janё projektet e radhës tё cilat do të përfitojnë nga pako e tretё e investimeve nё masa tё efiçiencës sё energjisë nga Fondi i Kosovës pёr Efiçiencë tё Energjisë.

Masat të cilat do të zbatohen në këto dy objekte përfshijnë: termoizolimin e mbështjellësit të ndërtesave (izolimi termik i mureve, dritare efiçiente si dhe izolimi i kulmit), ndërrimi kaldajës ekzistuese me atë efiçiente, pastrimin e rrjetit gypor, montimin e valvolave termostatike dinamike duke siguruar temperatura të brendshme sipas normave të kërkuara, si dhe punët elektrike qe përfshijnë ndërrimin e trupave ndriçues jo efiçient ne ato efiçient – LED. Këto investime arrijnë shumёn prej mbi 580 mijё euro dhe synohet që perms tyre tё kursehen rreth 370 MWh nё vit ose rreth 60% tё konsumit total tё kёtyre dy ndërtesave, ndërsa punimet pritet të përfundojnë brenda këtij viti.

Falenderojmё pёr bashkёpunimin komunёn e Istogut si dhe pёr mbёshtetjen dhe financimin donatorёt tanё: Zyra e BE-sё nё Kosovё, Banka Botёrore dhe Qeverinё e Republikёs sё Kosovёs.